Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Gjurmët e para të vendbanimeve njerëzore në Shqipëri datojnë që nga koha e gurit të lashtë (paleolitit). Në juglindje të vendit janë gjetur vendbanime nga koha e neolitit. Gjetjet e vendbanimeve të para fortifikuese, të Proto-Ilirëve, flasin qartë për egzistencën e popullimeve në epokën e bronxit. Në epokën pasuese, atë të hekurit, datojnë një sërë vendbanimesh më të mëdha fortifikuese ilire, varrezat tumulare dhe pikturat e shpellave.
Në mijëvjeçarin e parë p.e.s. ngrihen qytezat e para e më vonë shtetet e para ilire. Me shekullin e VI p.e.s. fillon formimi i kolonive greke.
Gjatë shekullit të IV p.e.s. gjenden të dokumentuar përleshjet e ashpra të ilirëve me mbretërinë e atëhershme të Maqedonisë, të cilët ia dolën mbanë të shmangnin përfshirjen e vendit në Perandorinë e Aleksandrit të Madh (336–323 p.e.s.). Në shekullin e III p.e.s. mbretërit ilirë ngritën zonat lokale sunduese përgjatë territorit të Shqipërisë së sotme.
Në vitin 230 p.e.s., disa koloni greke përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe ishujve të Dalmacisë, kaluan nën mbrojtjen e Romës. Pas dy luftërave ilire, rajoni kaloi gradualisht nën kontrollin romak. Në vitin 168 p.e.s. mbreti i fundit ilir, Genti, u soll rob në Romë. 146 p.e.s. filloi ndërtimi i rrugës Egnatia (Via Egnatia), fillimisht si rrugë ushtarake, mbi bazë të rrugës së hershme Via Candavia, si një zgjatim i rrugës Via Appia për në Lindje. Via Egnatia zhvillohet më tej si lidhja më e rëndësishme nga Adriatiku për në Bosfor dhe rrjedhimisht mes dy qendrave të pushtetit të perandorisë së vonë romake, Romës dhe Bizantit. Në dekadat e mëvonshme realizohet romanizimi intensiv i territorit shqiptar.

Relikte nga Rruga Egnatia pranë Arrëzit (Librazhd)
Në vitin 380 e.s. krishtërimi deklarohet si feja zyrtare e perandorisë romake. Në shekullin e IV/V fillon kristianizimi gradual edhe i popullsisë së atëherëshme shqiptare, fillimisht në zonat bregdetare dhe më pas edhe me banorët e zonave malore.
Me ndarjen e Perandorisë Romake në atë të lindjes dhe atë të perëndimit në vitin 395, territoret shqiptare bien nën sundimin e Perandorisë Bizantine, kufijtë e së cilës do të sulmoheshin për shekuj të tërë nga armiq të ndryshëm. Në shekullin e VI u shfaq rreziku nga dyndjet sllave. Në disa zona të territoreve të sotme të Shqipërisë ngrihen në shekujt e mëvonshëm përkohësisht mbretëria e Gotëve të Lindjes, vendbanime nga fiset sllave apo dhe pushtimi bullgar, deri sa bizantinët fuqizohen sërisht në gjysmën e parë të shekullit XI me shtrirje të reja të përkohshme të pushtetit të tyre.
Zhvillimet e ndryshme që morën perandoria romake dhe ajo bizantine çuan në vitin 1054 edhe në ndarjen e kishës, në atë të Lindjes dhe atë të Perëndimit. Kjo ndarje gjen ndikimet e saj deri në ditët e sotme në Shqipëri, me drejtimet e ndryshme që mori kisha në Shqipërinë e Veriut (besimi katolik) dhe në jug të vendit (besimi ortodoks).
Perandoria Bizantine do të dobësohej sërisht në shekujt XI dhe XII dhe normanët zbarkojnë në brigjet e Vlorës së sotme. Që nga shekulli i XII disa qytete bien nën ndikimin e fuqisë venedikase.
Në fund të shekullit XII, 1300 vite pas rënies së mbretërive të Ilirisë së lashtë, krijohet Principata Autonome e Arbërit, me kryeqytet Krujën.
Gjatë shekullit të XIV shumë territore të Ballkanit bien nën sundimin serb, njëkohësisht në zonat shqiptare formohen klane të fuqishme familjare me principatat e tyre.
Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Kosovës në vitin 1389 i hapi rrugën Perandorisë Osmane të zgjeronte sundimin e saj ndër të tjera edhe në Shqipëri. Fillimisht u pushtua Kruja në vitin 1415 e më pas territore të tjera në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme.
Në veri të vendit fillojnë kryengritjet për pavarësi, të cilat nën drejtimin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) i bënë ballë për disa dekada fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, asaj osmane. Besëlidhja Shqiptare e Lezhës më 1444, si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë, mundësoi bashkimin politik të principatave shqiptare dhe krijoi një pushtet qëndror për të gjitha viset e lira shqiptare.

Rrënojat e Kishës së Shën Nikollës (e shkatërruar gjatë pushtimit osman në shek. XV) dhe Monumenti i Heroit Kombëtar Skënderbeu, Lezhë
Shqipëria përfundoi tërësisht nën thundrat e sundimit osman vetëm pas vdekjes së Skënderbeut më 1468, duke u shndërruar më pas për 4 shekuj me radhë një provincë e largët e Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë një pjesë e mirë e popullsisë u detyrua të pranonte fenë myslimane.
Dobësimi i Perandorisë Osmane në shekullin e XVIII çoi në forcimin e sunduesve lokalë brenda territoreve shqiptare të pushtuara nga turqit. Më i njohuri prej tyre është Ali Pashë Tepelena (sundimtari i Pashallëkut të Janinës).
Sundimi i ashpër osman çoi në shekullin e XIX në lindjen e një levizjeje të re mbarë kombëtare, në periudhën e Rilindjes. Ngjarja më e rëndësishme e kësaj lëvizjeje ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, ku u kërkua autonomi e plotë e të gjitha trojeve me shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane.
2 mijë vite pas Ilirisë së lashtë dhe 7 shekuj pas krijimit të Principatës së Arbërit, Shqipëria arrin të shpallë pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane më 28 Nëntor 1912. Vite të vështira dhe të paqëndrueshme do të pasonin për shqiptarët, ndër të tjera administrata e përkohshme e Prinz Vidit (Wilhelm von Wied, 1914), lufta e parë botërore, qeveria e përkohshme e Fan Nolit dhe një monark, i vetshpallur si mbret i shqiptarëve, Ahmet Zogu (1928-1939, si mbret Zogu I.).
Në vitin 1939 Shqipëria pushtohet nga trupat fashiste të Musolinit, e më 1941 nga ato naziste gjermane. Me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare 1941 fillon lufta e organizuar antifashiste nacionalçlirimtare partizane deri në çlirimin e vendit në Nëntor 1944.

Një nga monumentet e shumta mbi Çlirimin e Shqipërisë më 1944, Berat
Në janar 1946 vendi u shpall zyrtarisht Republika Popullore e Shqipërisë (1946-1976), dhe me vendim kushtetute më 1976 Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (1976-1991). Sekretar i Parë i qeverisë së kësaj periudhe ishte Enver Hoxha. Për 4 dekada me radhë vendi u drejtua me një kurs stalinian tepër të ashpër. Në nëntor 1949 u ndërprenë marrëdhëniet fillimisht me Jugosllavinë dhe në dhjetor 1960 me Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1967 Shqipëria vetëdeklarohet si shteti i parë ateist në botë. 1977/78 ndërpriten marrëdhëniet diplomatike edhe me Kinën. Më pas vendi ndoqi një politikë vetëizoluese deri në fillimin e viteve 90-ë.
1990/91 erdhën edhe në Shqipëri ndryshimet politike. Shqipëria nis rrugën e saj të re drejt integrimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të një shoqërie demokratike.
Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Në Austri, Zvicër, Gjermani dhe në mbarë rajonin shqipfolës.