Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Ndër personalitetet shqiptare më të njohura në botë janë:
- Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu (1405 – 1468), princ shqiptar dhe simbol i vetëvendosjes dhe pavarësisë shqiptare. Skënderbeu udhëhoqi për mbi 25 vite me radhë bashkimin e kombit shqiptar në luftën e përbashkët kundër pushtuesve osmanë, duke shmangur njëkohësisht edhe dyndjen e osmanllinjve në drejtim të Europës. Për shërbimet e tij si mbrojtës ushtarak i krishtërimit Papa Calixtus III e nderoi në vitin 1457 me titullin e nderit Fidei Defensor dhe Athleta Christi;
- Nënë Tereza (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu), ose Shën Tereza e Kalkutës (1910 – 1997), lindi në një familie shqiptare në Shkup, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë së Veriut. Nënë Tereza themeloi në vitin 1950 Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, dhe iu përkushtua gjatë gjithë jetës së saj ndihmës për të varfërit dhe të braktisurit, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore. Nënë Tereza është nderuar me çmimet më të larta, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqe (1979), ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës” më 2003 dhe në vitin 2016 u shenjtërua; dhe
- Shkrimtari Ismail Kadare (1936 – 2024), autori shqiptar më i njohur në arenën ndërkombëtare letrare dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme në mbarë botën. Kadare u vlerësua me shumë çmime ndërkombëtare, ndër të tjera me çmimin „Prix mondial Cino del Duca“ (1992), çmimin britanik „Booker International Prize“ (2005), çmimi spanjoll për Artet “Prince of Asturias Awards” (2015), Çmimin Jeruzalem (2015), me titujt francezë të nderit „Commandeur de la Légion d’Honneuer“ (2016) dhe „Grand Officier de la Légion d’Honneuer“ (2020), si dhe me çmimin amerikan Neustadt International Prize for Literature (2020). Karade ishte gjithashtu anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë (1996).
Ndër personalitetet me origjinë shqiptare me një lidhje të veçantë me Austrinë janë :
- Karl Gega (Carl Ritter von Ghega, 1802 – 1860), ishte inxhinier, planifikoi dhe ndërtoi hekurudhën e Semmering-ut në Austri (prej vitit 1998 vlerësuar nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Botërore). Ai lindi si Karoli de Ghega në Venedig. Me ndërtimin e hekurudhës së Semmering-ut Gega realizoi ndërtimin e hekurudhës së parë malore në botë (1848 – 1854). Në vitet 1850 ai planifikoi ndër të tjera edhe rrjetin hekurudhor për tërë territorin e Austro-Hungarisë. Për shërbimet e larta ndaj Perandorisë Austro-Hungareze, Gega u nderua më 1851 me titullin e lartë „Ritter“ (Kalorës); dhe
- Aleksandër Moisiu (Alexander Moissi, 1879 – 1935), lindi në Trieste dhe fëmijërinë e tij e kaloi në Trieste, Durrës dhe Graz. Në Vjenë ai do të studjonte fillimisht Kanto (1898), por shumë shpejt iu përkushtua aktrimit, duke u bërë një ndër aktorët më të famshëm të kohës së tij. Ai ishte aktori i parë që mishëroi rolin kryesor të „Jedermann-it“ (nga Hugo von Hofmannsthal) në premierën e parë të Lojrave Festive të Salzburgut në vitin 1920. Që atëherë, kjo pjesë teatrale, që bën fjalë për vdekjen e një pasaniku, është kthyer në një traditë kulturore – me të fillon çdo vit programi i Lojrave Festive Verore në Salzburg. Aleksandër Moisiu do të luante rolin kryesor në këtë pjesë teatrale për 7 sezone me radhë, deri në vitin 1931.
Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Në Austri, Zvicër, Gjermani dhe në mbarë rajonin shqipfolës.

Skënderbeu