Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Shqipëria ushtronte përgjatë viteve si Republikë Popullore (1945 – 1990) një sistem ekonomik, që kontrollohej rreptësisht nga shteti. Në fundin e viteve 1980-ë, vitet e fundit të ekonomisë socialiste, PBB-ja (Prodhimi i Brëndshëm Bruto) vjetore ishte në vlerën prej 700 USD për frymë, një vlerë shumë e ulët në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit.
Pas ndryshimit të sistemit në vitet 1990/91 ekonomia shqiptare do të kalonte një periudhë tejet të vështirë. Shkatërrimi thuajse total i ekonomisë egzistuese çoi në një rënie të thellë të PBB-së, i cili në vitin 1992 arriti në vetëm sa një të tretën e PBB-së të vitit 1980. Megjithatë vitet në vazhdim do të shënonin një përmirësim dhe zhvillim të qëndrueshëm, edhe pse efektet e krizës ekonomike të vitit 2008 do të ndiheshin fort dhe do ta shoqëronin ekonominë shqiptare përgjatë tërë viteve 2009-2016, por edhe në 2020-ën gjatë pandemisë së virusit Covid-19.
PBB-ja nominale për frymë në vitin 2025 arriti në më shumë se 10.500 USD, vlerë kjo 14 herë më e lartë se ajo e vitit 1997, që përbënte pikën më të ulët të viteve të tranzicionit (“revolta e llotarisë”).
Borxhi publik, me 54,3 % (2025), mbetet prej vitesh dukshëm dhe vazhdimisht nën kufirin e përcaktuar nga kriteret e Maastricht-it.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore Shqipëria klasifikohet gjithashtu si një vend me të ardhura të mesme të larta (upper-middle income country), me perspektivë të qëndrueshme dhe pozitive.
Sipas të gjitha parashikimeve, Shqipëria do të mbetet edhe në vitin 2026 lider në zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Impulset e rritjes së ekonomisë shqiptare rrjedhin kryesisht nga sektori i energjisë dhe i minierave, si edhe nga sektori i turizmit dhe i shërbimeve. Numri i turistëve që vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2023 arriti në 10 Milionë vizitorë, shifër që flet për një bum të mirëfilltë turistik në vend.
Numri i vizitorëve në Shqipëri është dyfishuar midis viteve 2019 dhe 2024. Me më shumë se 12 milionë vizitorë në vit (2024) dhe me një vlerësim paraprak prej të paktën 15 milionë për vitin 2025, Shqipëria është shndërruar përfundimisht vitet e fundit si një trend destinacioni turistik në Evropën Juglindore. Turizmi kontribuon tashmë me mbi 25 % në PBB-në e Shqipërisë.

Burimi i të dhënave: INSTAT, Bank of Albania, World Bank, IMF, WKO
Grafiku: SCAMPA, Mars 2026
Sipas Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (Human Development Index, HDI) të Kombeve të Bashkuara, i cili krahas PBB për frymë përfshin edhe faktorë të tjerë si jetëgjatësia mesatare dhe kohëzgjatja e arsimimit, Shqipëria gjendet në zonën e zhvillimit të lartë njerëzor.
Zhvillimi pozitiv i ekonomisë shqiptare dhe kushtet egzistuese për investim kanë tërhequr vëmendjen e një sërë investorëve të huaj, sidomos nga zona e vendeve gjermanishtfolëse, të cilët, duke kuptuar potencialin e madh, kane mbërritur në vend ose po planifikojnë investime në një të ardhme të afërt ose të mesme.
Në ballë të investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vitin 2025 ishin Hollanda (në vendin e parë), Zvicra (në vendin e 2-të) dhe Austria (në vendin e 7-të).
Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Në Austri, Zvicër, Gjermani dhe në mbarë rajonin shqipfolës.

