Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Gjuha shqipe (ose shqipja) bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane dhe aty përfaqëson një degë më vete. Në literaturën gjuhësore krahasimtare shumica e studiuesve pohojnë prejardhjen e drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe nga ilirishtja e lashtë.
Dëshmitë e para dhe të dhëna për egzistencën e gjuhës shqipe rezultojnë të paktën që nga Mesjeta e Lartë, me dokumentet e parë të shqipes së shkruar ajo vërtetohet qartazi që nga shekulli i XV.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u vendos dhe njësimi i shkrimit të shqipes.
Deri në atë kohë gjuha shqipe ishte shkruar në alfabetin latin, grek, arab apo dhe në alfabete të veçanta. Me Kongresin e Manastirit (Bitola e sotme në Maqedoninë e Veriut) në vitin 1908 u vendos njësimi i alfabetit të shqipes me alfabetin latin (i plotësuar me 9 digrame, dhe me dy shkronja me shenja diakritike – ç, ë – me gjithsej 36 shkronja). Shqipja shkruhet sipas sistemit të saj fonologjik – me 7 fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore.
Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, që shtrihen në veri të vendit – gegërishtja – dhe në jug të vendit – toskërishtja. Kufiri i këtyre dy zonave dialektore kalon nëpër Shqipërinë e Mesme, përgjatë lumit Shkumbin, dhe përfaqëson njëkohësisht edhe një linjë ndarëse fetare dhe kulturore.
Gjuha e sotme standarte shqiptare ose gjuha e njësuar letrare shqipe bazohet kryesisht mbi toskërishten dhe u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes në vitin 1972 në Tiranë.
Shqipja është gjuhë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por flitet gjerë nga popullsia etnike shqiptare edhe në Mal të Zi dhe në Serbi. Njëkohësisht egzistojnë edhe disa ishuj gjuhësorë të shqipes, ndër të tjera në Itali (Arbëreshët), Greqi (Çamët etnikë, Arvanitët), në Bullgari, Rumani, Turqi dhe në Ukrainë. Në Itali, Rumani dhe Serbi gjuha shqipe është e njohur si gjuhë minoritetesh.
Gjuhën shqipe e flasin në mbarë botën rreth 7,5 – 8 milionë njerëz.
Zyra e Përkthimeve SCAMPA – Partneri Juaj për përkthime gjermanisht – shqip – gjermanisht.
Në Austri, Zvicër, Gjermani dhe në mbarë rajonin shqipfolës.

Valle Popullore, Mozaik në Gjirokastër